Meksika si në 1970 e 1986, Vela dhe Çiçarito afrojnë kualifikimin!

Një nga skuadrat e futbollit më serioze në botë. Meksika padyshim është e tillë dhe çdo Botëror konfirmon faktin se nuk është e lehtë që ta mundësh. Pasi mposhti Gjermaninë, arriti fitoren e dytë radhazi në grupin F të Kupës së Botës, këtë herë ndaj Koresë së Jugut. Golat e Karlos Velës dhe Havier Hernandezit bënë diferencën në stadiumin e Rostovit, me meksikanët që e merituan plotësisht suksesin 2-1.

Hernandez, i quajtur ndryshe Çiçarito, pati një festë të vërtetë, pasi ky ishte goli i tij numër 50 për ekipin kombëtar. Natyrisht, loja nuk ishte e shkëlqyer si ndaj Gjermanisë, pasi Koreja e Jugut ishte kundërshtar shumë më modest. Gjithsesi, nuk pati asnjë nënvleftësim nga lojtarët e trajnerit Ozorio, që shënuan nga një gol në çdo pjesë loje.

Koreja e Jugut u përpoq shumë, udhëhequr nga lojtari i saj më i mirë, Son, por nuk e përballoi dot talentin dhe përvojën më të madhe të kundërshtarit. Son arriti thjesht të ngushtonte diferencën me një gol shumë të bukur.

Mbështetur nga mijëra tifozë, Meksika do të kërkojë të arrijnë të paktën çerekfinalet e Botërorit, siç ka bërë në 1970 dhe 1986. Pse jo, të kërkojnë edhe më shumë dhe të vendosin rekord. Meksika është nga kombëtaret e pakta të botës që ka mundur të fitojë Kupën e Konfederatave dhe Lojërat Olimpike, ndërsa synimet i ka të mëdha edhe në Kupën e Botës.

Sfidanti.al