Mbi 2 500 tifozë anglezë trondisin Napolin!

Pak ditë më parë një gjë e tillë ndodhi. Napoli u trondit fort nga përleshjet e ultrasve të Frankfurtit dhe atyre vendas, pasi skuadra gjermane mbërriti në qytet për ndeshjen e Championsit. Pa kaluar shumë kohë, një situatë e tillë mund të përsëritet ndërsa këtë të enjte luhet dueli klasik Itali-Angli për eliminatoret e Euro 2024. Dy ekipet e shquara do të kenë përballjen e parë që pas finales së Europianit 2020, zhvilluar në “Uembli” të Londrës dhe fituar nga italianët pas gjuajtjes së penalltive.

Mediat shkruajnë se rreth 2 500 tifozë anglezë priten në Napoli, dhe për këtë arsye masat e sigurisë do të jenë të larta. Mes këtyre tifozëve padyshim që do të ketë mjaft ultras që kanë dëshirë të krijojnë trazira. Nuk harrohet lehtë kaosi në prag të finales së Europianit 2020 në Londër, kur situata me tifozët anglezë u bë alarmante, aq sa as policia nuk mundi të ndalonte hyrjen e tyre pa leje në stadiumin “Uembli”. E vërteta është që anglezët nuk krijuan probleme në Kupën e Botës në Katar, por gjithsesi nuk ka asnjë siguri se çfarë mund të ndodhë në rrugët e Napolit apo në stadiumin “Maradona”.

Sfidanti.al