Markoviç, patriotizmi kushton shtrenjtë në futboll!

Njëri nga futbollistët serbë të Liverpulit, Lazar Markoviç, duket se ka rënë nën “breshërinë” e tifozëve, pasi bëri “pëlqim” ndaj një postimi në rrjetet sociale, në lidhje me fitoren e Crvena Zvezdës në Champions. Ishte një mesazh ku ishin vendosur dhjetëra flamuj të Serbisë, si dhe një zemër e kuqe, për të kremtuar suksesin e Zvezdës, dhe Markoviç, duke qenë padyshim një patriot serb, i bëri pëlqim.

Kjo, veçse, nuk i pëlqeu aspak tifozëve të Liverpulit, të cilët arritën ta pikasnin veprimin e lojtarit të tyre (jo më kot jetojmë në kohën e “Vëllait të Madh”). Pas kësaj nisën komentet, dhe sulmet. “Duhej ta kishim marrë me vete Markoviçin në atdheun e tij, Serbi, dhe ta kishim lënë atje”, ishte një thirrje tifozi. “Dëgojeni në një ekip të kategorisë së tretë”, – kërkonte një tjetër. “Të kishte qenë Marko Grujiçi, edhe mund të kuptohej, sepse ai ka luajtur për Yllin e Kuq, por duket se Markoviçi po e bën këtë për inat të klubit tonë”, – ishte komenti pasardhës.

Nuk dihet nëse Liverpuli do të marrë ndonjë masë, apo do t’ia lerë kohës që të harrohet gjithçka, por Markoviçi kuptoi se është shumë e vështirë në futbollin profesionist që të jesh patriot i vendit tënd. Ndoshta, herën tjetër do të duhet të tregohet më i kujdesshëm.

Sfidanti.al