Liverpuli i përgjigjet Çelsit, fiton derbin në fushën e Evertonit!

Një gol që u duk se doli atëherë kur nuk pritej i dha Liverpulit një fitore të madhe dhe të rëndësishme. Vetëm 1-0, por në fushën e Evertonit, pra në derbin e qytetit, duke e bërë ndjekësin numër 1 të Çelsit, në distancën prej 6 pikësh. Të besuarit e trajnerit Jurgen Klop kanë tani 37 pikë ndaj 43 të bluve, duke lënë pas Mançester Sitin dhe Arsenalin. Sadio Mane, sulmuesi i ri që ka fituar besimin e trajnerit gjerman, ishte autori i golit, në një përballje të ashpër në sytë e 42 000 spektatorëve në stadiumin tradicional anglez, “Gudison Park”. Ishte minuta e 94-ët kur Starrixh goditi shtyllën dhe Mane dërgoi në rrjetë topin e kthyer në lojë. Kjo fitore bën që skuadra e famshme, 18 herë kampione e Anglisë, të shkojë me besim në periudhën e ngjeshur të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ndërsa tifozët ëndërrojnë që ky të jetë viti i duhur pas 27 vitesh pritjeje.