Liga e Kombeve, UEFA sqaron situatën e Kosovës para shortit

Në prag të shortit të Ligës së Kombeve për edicionin 2026-2027, UEFA ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me situatën e kombëtares së Kosovës. “Dardanët” siguruan kualifikimin në Ligën B të Ligës së Kombeve pas fitores në ndeshjet “play-off” kundër Islandës, të zhvilluara në muajin mars të vitit të kaluar. Kosova kishte garuar fillimisht në Ligën C, ku e mbylli fazën e grupeve në vendin e dytë, në një grup me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë, duke grumbulluar 12 pikë në gjashtë ndeshje.

Shorti për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të hidhet më 12 shkurt 2026, në Bruksel të Belgjikës, ku Kosova do të jetë pjesë e shortit si ekip i Ligës B. Në të njëjtën ligë ndodhet edhe Bosnjë-Hercegovina, por dy kombëtaret nuk mund të përballen mes tyre për shkak të rregullave të UEFA-s. Kjo situatë është sqaruar zyrtarisht nga shtëpia evropiane e futbollit. “Bazuar në vendimet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të vlefshme në kohën e hedhjes së shortit, ekipet që nuk mund të jenë në të njëjtin grup janë: Bosnjë-Hercegovina (Liga B, vazo 2) – Kosova (Liga B, vazo 4). Përballjet e tjera të ndaluara nuk mund të ndodhin, pasi ekipet përkatëse nuk garojnë në të njëjtën ligë”, thuhet në njoftimin zyrtar të UEFA-s. Ky sqarim i jep fund çdo dileme në prag të shortit, duke konfirmuar se Kosova do të shmangë një përballje të ndjeshme politike dhe sportive në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

sfidanti.al