Nuk ishte ndoshta ndeshja për të shigjetuar portierin, por ja që opinionistët e futbollit do të gjejnë gjithnjë material për “t’i dhënë gojës”. Peter Shmajkeli, ish-portieri legjendar i Mançester Junajtidit, e fshikulloi mirë Manuel Nojerin pasi ai gaboi në rastin e golit të Çelsit, ndonëse fitorja e Bajernit (4-1) nuk u vu kurrë në dyshim, dhe as kualifikimi pas fitores 3-0 në Londër. “Ai i Nojerit nuk ishte veprim i madh prej portieri, – tha Shmajkeli, – Nojeri tregoi një lojë, duhet të themi, të dobët”. Gjithsesi, në krah të portierit bavarez doli trajneri i portierëve i kombëtares së Gjermanisë, Andreas Këpke. “Krosimi nuk ishte aq i thjeshtë sa dukej, – tha ai, – nëse një mbrojtës do ta kishte larguar topin, të gjithë do ta kishin lavdëruar Nojerin. Mendoj se ai dhe Ter Shtegen janë në klubin ekskluziv të portierëve më të mirë të botës, ku bëjnë pjesë edhe Oblak i Atletikos dhe Alison i Liverpulit”.
Sfidanti.al