Hijet që rrethojnë gjendjen shëndetësore të Ezequiel Lavezzi kanë filluar të zhduken. Avokati i tij, Mauricio D’Alessandro, u kujdes për sqarimin e kushteve të ish-lojtarit të Napolit: “Lavezzi vuan nga hipomania, një çrregullim kronik që ndikon në humorin e tij. Pasojat e kësaj patologjie i ka vuajtur edhe në të kaluarën. Nuk po kurohet për konsum droge apo alkooli, por për një çrregullim psikiatrik që mund ta shtyjë edhe të dëmtojë veten”.
Ditët e fundit në Argjentinë kanë qarkulluar thashetheme se ai ishte shtruar në spital për një mbidozë, gjë që u mohua kategorikisht nga djali i tij Tomas. Prej javësh ishin hedhur hipoteza të ndryshme, pasi ‘Pocho’ u dërgua në spital më 20 dhjetor të vitit të kaluar me disa dëmtime të lehta për shkak të një aksidenti të paspecifikuar në familje.
D’Alessandro hedh dritë edhe mbi këtë episod: “Në mes të natës dëgjoi një zhurmë dhe mendoi se kishte njerëz në shtëpi, kështu u dëmtua. Kur doli nga spitali u përpoq të kapërcejë krizën i vetëm, por nuk mundi, prandaj shkoi në klinikë, nuk është një patologji që kurohet kaq lehtë, kërkon kujdes mjekësor”.
Megjithatë, tani situata duket se po përmirësohet: “Po shkon shumë mirë, evolucioni është shumë i favorshëm. Ai do të qëndrojë në mjekim për 21 ditë dhe më pas do të ketë mundësi të largohet ose të qëndrojë, në varësi të gjendjes së tij. Mjekët po përpiqen ta stabilizojnë, përpara se të shohin nëse ka nevojë për trajtim më të gjatë. Ai nuk ka qenë në terapi intensive siç është thënë”.
sfidanti.al