Lautaro Martinez, ylli që Argjentina priste pas Valdanos e Batistutës!

Kartoni i tij vlen mbi 110 milionë euro (edhe pse transfermarkti shkruan 80 milionë), ndërsa ndikimi i tij në fushën e lojës po ndihet fort. Në moshën 24-vjeçare, Lautaro Martinez po kthehet në sulmuesin që priste prej kohësh Argjentina, dhe për të cilin Interi ka nevojë. Me 19 gola në 37 ndeshje për kampionët e Amerikës së Jugut, ai po përpiqet të zgjojë kujtimet e një Horge Valdanoje apo Gabriel Batistute. Me rrjetën e shënuar së fundmi, Lautaro i dha fitoren 1-0 Argjentinës ndaj Kolumbisë, dhe bëri që kombëtarja e tij të ketë tani 29 ndeshje radhazi pa humbje, në përpjekje për të arritur rekordin botëror të Italisë me 37. Në mungesë të Lionel Mesit, Lautaro dhe Di Maria morën përsipër lojën sulmuese duke pasur sukses. Trajneri i Interit, Simone Inzagi, shpreson që kjo formë e argjentinasit në kombëtare të “përkthehet” edhe për zikaltërit.

Sfidanti.al