Laporta feston: Kundër Realit fituam me dinjitet

Joan Laporta është në qiellin e shtatë pas suksesit të fundit sezonal të Barcelonës ndaj Real Madridit, në një fundjavë të mbushur me polemika. Presidenti katalanas, duke folur për mediet pas finales, tregoi edhe për marrëdhënien me homologun e tij madrilen:

“Florentino Pérez më komplimentoi pas finales. Kemi një marrëdhënie respekti të ndërsjellë; folëm si para ashtu edhe pas ndeshjes. Për ne, gjithçka që ndodhi para ndeshjes ishte thjesht pjesë e një strategjie. Ne u fokusuam vetëm te futbolli. ‘El Clásico’ është një ndeshje që sjell pasion, rivalitet të madh dhe cilësi të jashtëzakonshme futbolli dhe ne e trajtuam si të tillë, pa u lënë të kapeshim nga provokime që nuk na interesojnë.”

Në lidhje me reagimin e tij gjatë ndeshjes, Laporta shtoi:

“Zakonisht, në tribunën e autoriteteve nuk ngrihemi në këmbë. Por, pas golit të Koundé, u ngrita instinktivisht nga entuziazmi. Nuk doja të tregoja mungesë respekti ndaj askujt, prandaj ngrita duart dhe u ula shpejt.”

Për arbitrimin e finales së Kupës së Mbretit, presidenti ‘blaugrana’ dha këtë vlerësim:

“Më pëlqeu arbitrimi në tërësi. VAR-i ishte vendimtar në disa situata. Asgjë nuk është perfekte, as loja e skuadrave dhe as performanca e arbitrave, por në këtë rast gjithçka shkoi mirë, nuk kam asnjë ankesë.”

Laporta foli edhe për të ardhmen e trajnerit Hansi Flick:

“Flick e di që ne dëshirojmë që të qëndrojë sa më gjatë, është një trajner i shkëlqyer si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë njerëzor. Ai preferon të ecë vit pas viti. Ka kontratë deri në 2026 dhe sektori sportiv po punon për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen e afërt. Ishte Deco ai që vendosi për Flick-un si trajner i parë, një zgjedhje që u mbështet plotësisht edhe nga Bojan. Që në fillim më pëlqeu. Kishim edhe opsione të tjera, por do ta kisha pranuar cilindo që do të zgjidhnin.”

Së fundi, për rinovimin e talentit Lamine Yamal, Laporta theksoi:

“Vendimi teknik është marrë nga komisioni sportiv, ndërsa aspektet financiare i përkasin bordit drejtues dhe presidentit.”

sfidanti.al