Do të kishin dëshiruar ta kishin arritur ndryshe, por festuan gjithsesi. Kombëtarja e Spanjës është tashmë në finalet e Europianit, dhe trajneri Roberto Moreno me ndihmësit e tij, si dhe lojtarët u lumturuan, edhe pasi vuajtën në Suedi. Duhen edhe dy ndeshje deri në mbyllje të eleminatoreve, por iberikët tashmë e prenë biletën me barazimin 1-1 arritur në sekondat e fundit. Nëse do të kishin humbur, dhe nëse Rumania do të kishte fituar ndaj Norvegjisë, gjithçka do të kishte qenë më e vështirë.
Suedezët kaluan në epërsi në nisje të pjesës së dytë me golin e shënuar nga Berg, dhe spanjollëve sikur u shkoi kot loja e mirë para pushimit. Në fund, e keqja u shmang, falë rrjetës së Rodrigo Morenos, por Spanja nuk jep shumë shpresë për finalet e Europianit. Mediat, për shembull, nuk u kënaqën edhe aq nga ajo që panë.
Gazeta “Marka” titulloi “të paktën me kaq”, dhe shton se “seleksioni e përmbushi objektivin në skaj, por duke lënë shumë dyshime”. Më festive “El Mundo Deportivo” e Barcelonës, pavarësisht krizës katalanase me kryeqytetin Madrid: “Në Europian, një gol i skajshëm i Rodrigos, në minutën e 92-të, kualifikon Spanjën në Eurokupën e qershorit”!
Sidoqoftë, ishte mbrëmja për të kremtuar një sukses dhe futbollistët e bënë. Optimizmi është në vetë natyrën e sportistit, sidomos kur vesh një fanelë të lavdishme si kjo spanjolle, dy herë kampione e kontinentit. Pati edhe dedikim. Kapiteni Sergio Ramos nuk harron ish-trajnerin dhe fatkeqësinë e humbjes së vajzës së tij: Të kualifikuar! Kjo ishte për ty, Luis Enrike!
Gjithsesi, atmosfera nuk duket shumë e qetë. Trajneri Robert Moreno krijoi një shqetësim me fjalët që tha pas ndeshjes, duke nënkuptuar se në Spanjë ka një lloj përçarjeje lidhur me kombëtaren.
“Jam i lumtur për kualifikimin, ndonëse nuk e patëm të lehtë, – u shpreh Moreno, – i kënaqur me ndeshjen dhe me lojtarët që kam. Ishte një fushë e vështirë, kishim përballë një rival që eleminoi një ekip të madh si Italia, nga Botërori i kaluar. Në futboll nuk ke garanci, mund të fitosh, mund të humbasësh, do të më pëlqente që njerëzit të ishin pranë nesh dhe të na mbështesnin kurdoherë, më vjen keq që ka njerëz që duan që ne të dështojmë. Ia dedikoj kualifikimin Luis Enrikes dhe familjes së tij”.
Për momentin, spanjollët nuk duan të mendojnë për këtë, por thjesht të festojnë realizimin e objektivit minimal, kualifikimin në Euro 2020.
Sfidanti.al