Ishte minuta e 57-të kur stadiumi “Uembli” oshëtiu nga britma e fuqishme “Ruuunei”. Trajneri Garet Sauthgejt i dha shansin të hynte për herë të fundit në fushë, golshënuesit më të mirë të gjeneratës së fundit angleze, Uejn Runit, në ndeshjen e tij të 120-të e të fundit për kombëtaren e “tre luanëve”. Kjo, në miqësoren ndaj SHBA-së që përfundoi 3-0.
Sauthgejt e mbajti fjalën, pasi 33-vjeçari shkeli në tapet veshur me fanelën me numrin 10, dhe me shiritin e kapitenit që iu soll për ta vënë në krahun e tij të majtë. Ish-ylli i Mançester Junajtidit nuk arriti të shënonte, ndonëse pati një mundësi të mirë në minutën e 91-të, ndërsa mbrëmja e lamtumirës së tij nga ekipi përfaqësues, ishte edhe mbrëmja e festës së madhe të talenteve të rinj.
Në formacion thuajse nuk kishte asnjë emër të shquar, ndërsa ende nuk mund të quhet kështu as portieri shumë i mirë, Pikford, as Aleksandër-Arnoldi, Dele Ali apo Xhesi Lingardi.
Debutues ishin “qumështorë” të tillë si Uilson (shënoi golin e tretë) dhe Sanço, talenti i Dortmundit. Golat e tjerë u shënuan nga Aleksandër-Arnold i Liverpulit dhe Lingard i Mançester Junajtidit. Për Runin mbyllet një karrierë fantastike me 120 ndeshje, dhe me rekordin e 53 golave për Anglinë, më shumë sesa ish-rekordmeni Bobi Çarlton.
Anglia: Pikford, Aleksandër-Arnold, Çiluell, Delf, Kin, Dank, Sanço, Uinks, Uilson, Ali, Lingard.
Sfidanti.al