Laçi dhe Teuta në vendnumëro

Teuta nuk arrin të largohet nga fundi i klasifikimit ndërsa kurbinasit mbeten në ujëra të turbullta dhe nuk arrijnë të shqetësojnë Tiranën e vendit të katërt. Në Laç ndeshja e parë e javës së 21 nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1, nga një pikë për të dyja skuadrat që nuk zgjidhj asnjë problem edhe pse bardhezinjtë mund të marrin frymë më të lehtësuar pasi një  kundërshtar direkt si Teuta në betejën e mbijetesës, nuk arrin të bëjë përpara. Sfida u zhbllokua në minutën e 25’, kur Altin Kryeziu kaloi Laçin në avantazh. Mesfushori realizoi një gol shumë të bukur, i pari për të në Superiore me bardhezinjtë. Rastet nuk munguan në të dy krahët, ndërkohë që Teuta fitoi një penallti katër minuta përpara fundit (prekje me dorë nga Ledio Tresa). Ekzekutimin e mori përsipër Ergys Peposhi. 23-vjeçari gjuajti saktë dhe barazoi rezultatin, duke i dhuruar një pikë të rëndësishme skuadrës së Edi Martinit. Laçi, që nuk humbet prej 7 ndeshjesh mes kampionatit dhe Kupës, vijon të jetë forcë e pestë e Superiores me 26 pikë. Ndërkohë, bregdetarët regjistruan barazimin e dytë radhazi në kampionat pas atij me Tiranën. Teuta mbetet e fundit me 18 pikë.

sfidanti.al