Vendimi i një zyre përmbarimore për të nxjerrë në shitje 66 % të aksioneve të KF Tirana, është treguesi më i qartë i krizës financiare që ka pllakosur në mes të futbollit shqiptar. Klubi më i titulluar, prej vitesh në faliment “de jure” eshtë mbajtur në jetë nga FSHF dhe strukturat e saj e me siguri me urdhër të njeriut drejtues pa të cilin nuk mund të bëjë asnjeri asnjë hap. Kjo u pa qartë në çështjen “Metush Seferi” ku FSHF për të evituar që familja e ish-presidentit të përfitonte “djersën” e të ndjerit, fshehu nëpërmjet faturave fiktive fitimet e bardhebluve edhe pse Tirana i kishte të bllokuara të gjitha llogaritë.
Por nuk është vetëm kaq sepse momentalisht Tirana mbetet me merkato të bllokuar për shkak mosshlyerjes së pagesave ndaj disa lojtarëve dhe anëtarëve të stafit, ndërsa borxhet sa vete e shtohen në malin e madh që po mban mbi shpatulla Refik Halili. U desh ndërhyrja e përmbarimit që t’ia hiqte nga duart fitilin e “bombës” presidentit Halili i cili edhe mund ta ketë ndezur nëse askush nuk paraqitet për ta blerë një klub pothuajse të falimentuar.
Si ka mundësi që Zyra e Licencimit nuk është ndalur vetëm pak sekonda te kriteri financiar i KF Tirana? Askush nuk e ka vënë re që klubi bardheblu është i falimentuar? Kjo nuk ka asnjë mundësi që të ndodhë nëse Halili nuk do të kishte një dorë të ngrohtë mbi supet e tij. A është kjo mungesë e “fair play” ndaj atyre që përpiqen t’i respektojnë të gjitha normat? Sigurisht që po por këto shkelje janë kthyer në norma statutore prej shumë vitesh aq sa sot konsiderohen normalitet.
Nga Pirro Bardhyli