Duel shqiptarësh thuajse nuk pati, edhe pse do të kishte qenë një sfidë në distancë. Marash Kumbulla dhe Berat Gjimshiti ishin vetëm rreth 10 minuta përballë njëri-tjetrit në stadiumin “Olimpik” të Romës, ku 21-vjeçari doli fitimtar në sfidën e Serisë A. Kumbulla ishte titullar për Romën, duke luftuar në mbrojtje me sulmuesit e Atalantës, ndërsa Gjimshiti hyri në fushë vetëm në 82’ në vend të Palominos. Kumbulla mori karton të verdhë dhe nuk do të luajë ndeshjen e ardhshme në Serinë A, por gjithsesi Roma e tij ia doli me golin e Abrahamit në pjesën e parë, dhe mbërriti Atalantën në kuotën e 47 pikëve. Shanset për në Champions ekzistojnë për ekipin e trajnerit Zhoze Murinjo, edhe pse Juventusi ka 50 pikë dhe nuk e ka luajtur ende ndeshjen e tij. Kumbulla mori notën 6.5 dhe vlerësime të larta, ashtu si edhe shokët e repartit Mançini, Smolling dhe Karsdorp.
Sfidanti.al