Zhoze Murinjo ia dha mundësinë dhe kjo duhej të ndodhte në një rajon të largët të Europës Lindore në brigjet e Lumit Dnjepër. Marash Kumbulla e luajti më në fund ndeshjen e tij të parë si titullar për Romën këtë sezon, dhe kjo ndodhi në stadiumin “Slavutiç Arena” të Zaporizhies në Ukrainë në sfidën e Ligës së Konferencës. Nuk luante ndaj ekipit vendas, Metalurhut, por kundër Zorias së Luhanskut, ekipit nga zonat e luftës në Ukrainë Lindore, dhe qendërmbrojtësi i kombëtares bëri një paraqitje të mirë në fitoren 3-0. Ai mori karton të verdhë në 81’, ndërsa luajti deri në fund, kurse golat për romanët i shënuan Stefan El Sharaui në 7’, Kris Smolling në 66’ dhe Tami Abraham në 68’. Shpresohet që trajneri portugez të ketë mbajtur shënimet e duhura nga kjo ndeshje dhe që Kumbulla të ketë raste të tjera në të ardhmen për të qenë titullar.
Sfidanti.al