Ndeshja midis Kosovës dhe Izraelit, e vlefshme për Eliminatoret e “Euro 2024”-ës, do të zhvillohet më 12 nëntor në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo ndeshje ishte planifikuar të luhej më 15 tetor, por u shty për shkak të situatës në Lindjen e Mesme. Por problemi është se 12 nëntori nuk është datë e rezervuar nga FIFA për ndeshje të ekipeve përfaqësuese dhe Kosova rrezikonte të jetë pa shumë lojtarë në atë ndeshje. 12 nëntori është ditë e diel dhe ligat evropiane pritet të zhvillohen normalisht dhe rrjedhimisht shumë lojtarë të Kosovës do të kenë ndeshje me skuadrat e tyre atë fundjavë, disa prej tyre shumë të rëndësishme.
Por duket se janë klubet që do ta vuajnë këtë datë, teksa është mësuar se Napoli do të luajë të dielën kundër Empolit pa mbrojtësin Amir Rrahmani, i cili do të luajë në të njëjtën ditë për Kosovën kundër Izraelit. Kështu ka raportuar të hënën e përditshmja sportive “Corriere dello Sport – Stadio”, e cila sqaron se “Amir Rrahmani do të jetë në dispozicion të Napolit të mërkurën për ndeshjen kundër Unionit të Berlinit në Ligën e Kampionëve, por do të mungojë të dielën”. Ndërkaq, edhe ndeshja e kampionat spanjoll midis Majorkës dhe Kadizit është shtyrë të hënën për kohë të pacaktuar nga La Liga.
Kjo ndeshje ishte planifikuar të luhej të dielën më 12 nëntor, por javën e shkuar Majorka kishte bërë kërkesë për shtyrjen e saj. Arsyeja për këtë është sulmuesi Vedat Muriqi, i cili është ftuar nga Kosova për duelin me Izraelin, i cili do të luhet gjithashtu të dielën. Gjatë këtyre ditëve, trajneri i Kosovës, Primozh Gliha, do ta publikojë listën e lojtarëve të ftuar për grumbullimin e nëntorit, ndërsa Muriqi do të jetë pjesë e saj. Krahas Izraelit, Kosova këtë muaj do të përballet edhe me Zvicrën e Bjellorusinë në kuadër të Grupit I të Eliminatoreve.
sfidanti.al