Nuk pati gola, por pati një barazim të merituar. Kosova e nisi siç duhet Ligën e Kombeve, duke qenë më pranë fitores sesa kundërshtari në sfidën e parë, luajtur në Azerbajxhan. Në stadiumin e Bakusë, të përzgjedhurit e trajnerit zviceran, Shaland, treguan autoritet dhe cilësi, edhe pse rastet e pastra nuk është se ishin të shumta.
Skuadra përfaqësuese tjetër shqiptare e filloi ndeshjen mjaft fort, duke ushtruar presion në portën azere, duke fituar disa goditje nga këndi radhazi, si dhe duke tentuar golin. Zhegrova, Muriqi, Zeneli apo Celina ishin një rrezik i vazhdueshëm për Azerbajxhanin, sidomos në pjesën e parë. Pas pushimit, loja sikur u ekuilibrua, por Kosova nuk lejoi që të rrezikohej thuajse asnjëherë porta e saj.
A mund të thuhet se Kosova mund të synojë kualifikimin? Në një grup, ku bëjnë pjesë edhe Malta dhe Ishujt Faroe, padyshim që kjo është e mundshme, sidomos për një ekip me cilësi jo të vogla. Gjithsesi, trajneri Shaland do të duhet të kompensojë mungesën e përvojës së një skuadre që u pranua në futbollin ndërkombëtar vetëm dy vjet më parë.
Sfidanti.al