Konte thotë “unë e vrava”, ndërsa mbron Interin nga kritikat!

Kur ka qenë tek Juventusi nuk ishte e nevojshme që ta bënte. “Zonja e Vjetër”, ashtu si mbretërin e princërit në vendet e tjera, e ka “monumentin” të sigurt dhe “të mbrojtur nga shteti”, ndërsa Interi, në mënyrë relative nuk e ka këtë favor. i takon pra, trajnerit Antonio Konte që të luajë rolin e të vetësakrifikuarit, si tek filmi i Kinostudios “Shqipëria e Re”, “Në fillim të verës”. “Unë e vrava”, – tha heroi kryesor i filmit, i frymëzuar nga vargjet e lira të Migjenit (dhe për fitore, kem’ me ra fli”), kështu thotë edhe Konte.

“Për Interin (ju, gazetarët) e shikoni gotën gjithnjë gjysmë bosh, por pa problem, ne nuk na prish asnjë punë kjo – u shpreh ai pas fitores 6-0 ndaj Breshës, – gjithsesi, unë do t’iu kërkoj që të më kritikoni e të më sulmoni mua, dhe jo klubin apo lojtarët”. Pasi bëri këtë mbrojtje me “trupin e tij”, Konte u shpreh se ishte i kënaqur nga loja e skuadrës. “Ishim të zotë që fituam, më pëlqeu sjellja e skuadrës, shënuam shumë gola dhe nuk pësuam, kur sheh Interin, dallon shumë gjëra pozitive, por varet se nga cili këndvështrim dëshiron ta shikosh”, – ishin fjalët e tij. Kënaqësia më e madhe duhet të ketë qenë paraqitja e Aleksis Sançezit, që shkëlqeu dhe u quajt sërish “maravilja”, a thua se po i thotë Kontes që “e zëvendësoj unë Lautaron”.

Sfidanti.al