Tirana e ndihmon legjendën e vet, Lekbello, por është basketbolli!

Ish-klubi i tij natyrisht që do t’i vinte në ndihmë. Gjithsesi, do të jetë së pari Tirana e basketbollit që do të jetë në krah të ish-yllit të futbollit bardheblu, Artur Lekbello. Skuadra e meshkujve, kampione e Shqipërisë, do të luajë të martën një ndeshje miqësore bamirësie për të mbledhur të ardhura për ish-mbrojtësin e qendrës. Kjo konfirmohet nga menaxheri i përgjithshëm i klubit, Anxhelo Koleka, i cili sqaron se takimi do të luhet të martën në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, dhe se kundërshtar i Tiranës do të jetë një ekip tjetër i kryeqytetit, Ardhmëria Basket.

Lekbello, ish-mbrojtësi i Tiranës së viteve 80-të dhe i kombëtares shqiptare, si dhe trajneri i vitit 2012 është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë. Sëmundja është nervore që sjell pamjaftueshmëri të muskujve, dhe besohet se kurimi është mjaft i shtrenjtë. Vetë ish-lojtari dhe ish-trajneri 51-vjeçar thotë se është i sëmurë prej 5 vitesh, ndërsa shpreson të arrijë ta fitojë këtë betejë.

Në Greqi, ku Lekbello luajti për 7 vjet, ish-klubi i tij, Arisi i Selanikut, ka bërë thirrje publike që të ndihmohet shqiptari. Në mediat në internet, në radio dhe televizione, thirrja e Arisit ishte: Ndihmë për veteranin tonë, Artur Lekbello. Pritet që klubi të organizojë një ndeshje bamirësie mes veteranëve të Arisit dhe lojtarëve të Greqisë kampione të Europës në 2004, për të mbledhur të ardhura.

Sfidanti.al