Për momentin nuk mund ta bëjë punën e tij, por vetëm të udhëtojë pak. Gjithsesi, Edi Reja, nuk mund të jetë krejtësisht i izoluar, edhe sepse është tepër i njohur dhe gazetarët kanë nevojë për mendimet e tij. Një intervistë, trajneri i Shqipërisë, e jep për të përditshmen më të madhe sportive të Italisë, “La Gazeta delo Sportin”, dhe flet mes të tjerave edhe për mbrojtësin e kombëtares, Berat Gjimshiti.
“Po flasim për një lojtar tashmë të stabilizuar në Serinë A, – u shpreh Reja, – është një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit dhe ka një rol të rëndësishëm në sukseset e Atalantës sezonet e fundit. Ka fituar besim dhe është rritur në nivel. Gjimshiti është sot një tjetër lojtar në krahasim me atë që ishte kur mbërriti tek Atalanta, dhe unë isha trajner”.
Reja e pati futbollistin e tij në 2016, ndërsa Gjimshiti fitoi përvojë duke luajtur i huazuar edhe tek Avelino dhe Benevento. Ai përballoi edhe goditjen kur u la jashtë finaleve të Europianit po në 2016 nga ish-trajneri i kombëtares Xhani De Biazi, ndonëse kishte luajtur në ndeshjet eleminatore dhe madje kishte shënuar gol ndaj Armenisë.
Me trajnerin Gasperini, mbrojtësi shqiptar nga Kosova nuk ka humbur asnjë ndeshje si titullar, madje ka shënuar edhe gola, përveçse ka qenë shumë i fortë në prapavijë. Atalanta po shkëlqen në Serinë A, por sidomos në Champions ku ka mbërritur në çerekfinale, dhe pret hedhjen e shortit e rifillimin e ndeshjeve.
Trajneri i Shqipërisë thotë se skuadra nga Bergamo ka arritur suksese të merituara, të cilat mund të vazhdojnë gjatë, ndërsa nuk i trembet kalendarit të ngjeshur, pasi thotë se një ekip i tillë është mësuar me presionin. Reja, ndërkaq, gjykon se me rifillimin e sezonit, skuadrat duhet të qendrojnë të grumbulluara nëpër hotele, për të shmangur rrezikun e infektimit nga koronavirusi.
Sfidanti.al