Plotësohet kombëtarja, kthehen edhe Asllani me Asanin!

Një vonesë erdhi pikërisht nga kjo finale. Kristjan Asllani bashkohet vetëm sot me kombëtaren shqiptare, ndërsa ishte në radhët e Interit në sfidën për titullin e Championsit kundër Mançester Sitit. Mesfushori 20-vjeçar ishte në stol në duelin e humbur në Stamboll, ndërsa pasi pushoi të dielën, vendosi të vihej nën urdhërat e trajnerit Silvinjo. Bashkë me të, me ekipin do të bashkohet edhe Jasir Asani, sulmuesi i krahut që luan në një kampionat të largët si ai i Koresë së Jugut. Tashmë, trajneri brazilian e ka grupin të plotë, ndërsa të shtunën luhet sfida e parë ndaj Moldavisë në “Arenën Air Albania”.

Kombëtarja shqiptare, është pranë dy ndeshjeve të tjera eliminatore të Kampionatit Europian, pas humbjes minimale 0-1 në Poloni, ndërsa synohen 6 pikët kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Natyrisht, që kemi mungesa si Kumbulla, Broja, Manaj, Gjasula dhe Balliu Shqetësim më vete mbetet porta me Strakoshën e Berishën që nuk kanë luajtur thuajse fare këtë sezon, ndërsa shpresohet tek Kastrati e Simoni.

Kombëtarja ka pasur ngarkesë të lartë gjatë seancave stërvitore, ndërsa besohet se Silvinjo e ka të qartë sesi do të duhet të luajë ndaj moldavëve. Flitet për një skemë 3-4-3, pra për të hequr një lojtar nga mbrojtja e për të forcuar mesfushën. Shqipërisë i duhen 6 pikët për të vazhduar synimet për kualifikim në grupin tonë eliminator ku Polonia dhe Çekia janë skuadrat më të forta, dhe ku për në fazën finale kualifikohen vetëm dy ekipe.

Sfidanti.al