Kritikat për Spanjën e tij nuk munguan, edhe pse kopertinat e gazetave sportive iberike kishin thirrje për fitoren e merituar, dhe për drejtësinë e vendosur në fund. Trajneri i “Furive të Kuqe”, Luis Enrike, bëri vlerësim të madh për Shqipërinë, ndërsa pati “shigjeta” për ekipin e tij që u cilësua si “i sipërfaqshëm”, dhe i neutralizuar nga kundërshtari modest. “Në letër, Shqipëria duhej të ishte një skuadër e vogël që nuk do të na krijonte probleme, por ju e patë që ndodhi e kundërta, – tha asturiani, – Ne ishim të ndërgjegjshëm për këtë vështirësi që në fillim të ndeshjes. Në pjesën e parë ishte thuajse e pamundur që të gjenim hapësira, dhe nuk hymë në lojën tonë të pasimeve. Na kushtoi shumë lodhje, ndonëse ekipi luftoi fort. Pas pushimit ishim shumë më mirë. Publiku i Barcelonës ishte vendimtar”.
Mbrojtësi i Barcelonës Erik Garsia, duke folur për të përditshmen katalanase, “Sport”, theksoi se “e kuptoni sesa e vështirë është të fitohet, dhe sesa e vështirë është kualifikimi për në një Botëror”. Spanja fitoi 2-1 në stadiumin “Korneja” të Katalonjës, me gola të shënuar nga Ferran Torres e Dani Olmo, ndërsa Myrto Uzuni barazoi përkohësisht për Shqipërinë.
Sfidanti.al