Kumbulla, “fruti” që e duan gjigandët e Europës, shqiptari mes Italisë, Spanjës dhe Anglisë!

Mund të mos jetë kohë ideale për futbollin, por padyshim është koha e tij. Marash Kumbulla po bëhet gjithnjë e më i përmendur, e më i dëshiruar, sa më shumë kohë kalon pa sportin e topkëmbës. Mbrojtësi i qendrës i kombëtares shqiptare dhe i Veronës, ka shkaktuar një garë të vërtetë në nivelet më të larta europiane, dhe është thuajse e sigurt se sezonin e ardhshëm mund t’i përkasë një klubi të rëndësishëm. Interi, Juventusi, Napoli, Lacio, Reali, Dortmundi, Mançester Siti, Mançester Junajtidi, Çelsi dhe Evertoni, jepen deri tani si mëtues për ta marrë.

Talenti dhe mosha e Kumbullës janë faktori vendimtar për këtë pëlqim, por edhe fakti se kartoni i tij kushton relativisht lirë, diçka që vlen jo pak në kohën e krizës nga koronavirusi. Mediat spanjolle e cilësojnë si një zgjedhje shumë të mirë për Realin, diçka që duket se e kanë kuptuar edhe presidenti madrilen, Perez, dhe trajneri Zinedin Zidan. Në moshën 20-vjeçare, shkruajnë ato, Kumbulla ka shpërthyer si meteor në skenën e futbollit të madh këtë sezon, duke luajtur 19 ndeshje si titullar në Serinë A. Reali, besohet se dëshiron një partner në qendër të mbrojtjes për Sergio Ramosin, ndërsa Naço mund të largohet.

Kohët e fundit, shqiptari ka pasur lavdërime nga vetë Pep Guardiola, ndërsa bosi i Mançester Sitit kërkon të forcojë repartin difensiv, ndërsa mediat raportojnë se do të ketë konkurencë brenda Anglisë me Mançester Junajtidin, Çelsin dhe Evertonin. Rivaliteti i madh mund të bëjë që çmimi i kartonit të futbollistit të rritet, për kënaqësinë e madhe të Veronës, dhe thuhet se që tani mund të flitet për 25-30 milionë paundë stërlina, që do të thotë maksimalisht mbi 33 milionë euro.

Gjithsesi, Interi mbetet favorit për qendërmbrojtësin veronez, sipas të gjitha vlerësimeve. Antonio Konte dhe Bepe Marota kanë kohë që kanë pasur kontakte dhe i kanë dhënë garanci Kumbullës për minutazh të konsiderueshëm loje. Besimi i treguar nga trajneri zikaltër mund të jetë faktori përcaktues për zgjedhjen e të ardhmes nga 20-vjeçari.

Sfidanti.al