Kovid dhe grip, kombëtarja lutet të mos ketë probleme në prag të Spanjës!

Nuk është më ajo gjendje e paparashikueshme si më parë, por gjithsesi problemet mbeten. Kombëtarja shqiptare është detyruar të ketë dy ndryshime në listën e lojtarëve për miqësoret ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë, pasi Enea Mihaj doli pozitiv për Kovid e do të karantinohet, ndërsa Nedim Bajrami njoftoi se është i sëmurë. Mesfushori i Empolit ishte në fushë pasditen e së dielës në Serinë A, në ndeshjen e barazuar 1-1 me Veronën, por njoftoi trajnerin Reja se ka gjendje gripale dhe temperaturë të lartë. Kjo e detyroi trajnerin italian që të bënte ndryshimet. Në grumbullim janë thirrur Herdi Prenga dhe Endri Çekiçi.

Mbrojtësi 27-vjeçar aktivizohet në Superligën e Hungarisë me Kishvardën, pas eksperiencave në Kroaci e në Lituani. Mesfushori sulmues, Çekiçi, është në Superligën e Turqisë në radhët e Konjasporit, ku luan titullar në krah të sulmuesit Sokol Cikalleshi, gjithashtu pjesë e kombëtares. Kuqezinjtë nisin sot grumbullimin në kompleksin “Tropikal” në Durrës, dhe shpresojnë të mos kenë probleme të tjera.  Reja ka thirrur debutuesit Asllani, Kastrati dhe Adrian Bajrami, si dhe ka rikthyer Balliun e Vrionin. Shqipëria luan në 26 mars miqësoren ndaj Spanjës në Barcelonë, ndërsa në 29 mars pret Gjeorgjinë në “Arenën Air Albania”.

Sfidanti.al