Kovid, dëmtime e konkurrencë, kombëtarja është “gjysmagjel”!

Data 28 mars vjen shpejt dhe bashkë me të edhe kombëtarja e Anglisë në Tiranë për eleminatoret e Kupës së Botës. Pas fitores së grupit në Ligën e Kombeve, nuk ka qetësi për trajnerin Edi Reja, skuadra e të cilit sikur është “tretur si kripa në ujë”. Problemi i madh i italianit dhe i ekipit përfaqësues është aktivizimi shumë i paktë i lojtarëve në klubet e tyre. Situata e krijuar nga koronavirusi, nga dëmtimet dhe nga konkurrenca nëpër ekipe ka bërë që futbollistë që cilësohen si boshti i ekipit të mos luajnë.

E vështirë gjendja për portierët, Berisha e Strakosha. i pari pati probleme serioze me Kovidin aq sa u detyrua të shtrohej në spital, ndërsa i dyti e ka humbur postin e titullarit tek Lacio. Aspak e lehtë gjendja në mbrojtje ku të tillë titullarë si Elseid Hysaj e Marash Kumbulla ose nuk luajnë, ose kanë minutazh të paktë. Edhe lojtari i Napolit, edhe ai i Romës e kaluan koronavirusin, ndërsa Hysaj ka edhe probleme me kontratën. Ardian Ismajli ka luajtur vetëm 12 për qind të minutave tek Specia, gjithashtu në Serinë A.

Në mesfushë, Klaus Gjasula po kalon një sezon të vështirë tek Hamburgu në Bundesligën e dytë gjermane. Ai ka qenë në fushë vetëm në 40 për qind të minutave, duke pasur rënie të formës, ndërsa së fundmi dëmtimi e ka lënë jashtë në dy ndeshje. Shumë më e keqe gjendja e Amir Abrashit që nuk ka luajtur asnjë minutë deri tani këtë edicion, ndonëse ai cilësohet titullar fiks në kombëtare.

Në sulm ka lajme të këqija dhe të mira. Armando Broja ka luajtur vetëm 11 minuta që nga 5 dhjetori kur u infektua me koronavirus, duke qenë dy ndeshje jashtë e dy herë në stol. Gati gjysma e minutave për Bekim Balajn në Austri ku ka arritur edhe të shënojë gola, ndërsa Armando Sadiku ka luajtur në vetëm 6 për qind të kohës në Superligën e Turqisë tek Erzurumspori.

Të paktën janë mirë Sokol Cikalleshi dhe Rej Manajn, që janë edhe dy sulmuesit kryesorë. Kavajasi u kthye nga dëmtimi që e la jashtë për plot 5 ndeshje, dhe ka qenë titullar së fundmi në Turqi për Konjasporin, ndërsa Manaj po aktivizohet në Barcelonën B në kategorinë e tretë spanjolle, duke shënuar edhe disa gola.

Sfidanti.al