Juventusi pritet ta bëjë sërish bardhezi, kuqeziun Vrioni!

Kërkoi vetëm që t’i jepej mundësia. Juventusi ia bëri këtë të mirë Xhakomo Vrionit duke e huazuar në Austri, dhe sulmuesi shqiptar po ia shpërblen siç duhet. Pas dy golave të tjerë që shënoi fundjavën e kaluar, 23-vjeçari mund të thuhet se vërtet po shkëlqen. Vrioni ka 9 gola gjithsej në kampionat, duke qenë vetëm 2 gola prapa Karim Adejemit të Salcburgut, pra duke pretenduar fort për të fituar Këpucën e Artë këtë sezon. Sulmuesi kuqezi ka gjetur veten tek Tiroli, dikur një skuadër e njohur austriake dhe europiane, ndërsa sot në hall për mbijetesë, dhe golat e tij po e ndihmojnë mjaft.

Suksesi i tij nuk ka kaluar pa rënë në sy të mediave italiane, që theksojnë se Juventusi, klubi që i ka kartonin, po e ndjek nga afër Vrionin. Vëzhgues të klubit piemontez kanë qenë në ndeshjet e tij dhe kanë informuar drejtuesit. Është shumë e mundshme që shqiptari të kthehet sezonin e ardhshëm në Torino e të vishet bardhezi. Juventusi po vuan këtë sezon për golat, ndërsa hetimet dhe akuzat për mashtrime financiare mund të bëjnë që klubi të mos mundet të investojë për yje të mëdhenj nga jashtë. Kjo ia shton mundësinë Vrionit.

Sfidanti.al