Edi Reja mendon të ardhmen e kombëtares: Mala, Muçi dhe Broja!

Grumbullimet e majit nuk shkuan kot. Edoardo Reja i ka disa ide sesi do të rinovojë kombëtaren shqiptare, dhe trajneri ka piketuar disa emra. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit tregojnë për Abc Neës-in se italiani është përqëndruar tek disa lojtarë, mes të cilëve dy që luajnë në Superligën shqiptare, dhe një tjetër jashtë vendit.

Një vlerësim të veçantë Reja ka për Esat Malën, lojtarin ofensiv të Partizanit, që e pati në grumbullim në kompleksin Tropikal në Durrës disa ditë në muajin maj. Veterani gjykon se Mala është i vlefshëm, jo vetëm për teknikën individuale dhe cilësitë fizike, por edhe për faktin se mund të luajë në disa pozicione. Shqiptari nga Kosova është vetëm 20 vjeç, dhe është pjesë e Shqipërisë U21 për të cilën ka shënuar edhe gol.

Lojtari tjetër që Reja pëlqen është pjesë e Tiranës, ndonëse jo shumë i njohur pasi nuk është aktivizuar në ekipin e parë. Quhet Ernest Muçi (në foto), vetëm 18 vjeç, roli i tij është sulmues krahu, ndërsa është përfshirë në skuadrën e të rriturve të drejtuar fillimisht nga Ze Maria dhe tani nga Ardian Mema. Muçi është aktivizuar edhe me kombëtaren shqiptare U19 nga trajneri Erion Bogdani.

Futbollisti i tretë për të cilin Reja ka konsideratë të veçantë është ylli i ri i Çelsit, Armando Broja. Ai ende nuk ka mbushur 18 vjeç, ndërsa është po ashtu pjesë e Shqipërisë U21, duke shënuar gol në miqësoren ndaj Uellsit, fituar me shifrat 3-1. Për Brojën po bëhet gati pasaporta shqiptare, në mënyrë që të aktivizohet pa probleme në kombëtare.

Sfidanti.al