Sokol Cikalleshi buzëqesh sa herë vjen një ndeshje e Kupës së Turqisë. Në një skuadër shumë të fortë si Istanbul Bashaksehirspori, shqiptari ka pak hapësira pavarësisht përkushtimit dhe talentit, ndaj edhe i duhet të kënaqet me kompeticionin e dytë në Turqi. E shfrytëzoi edhe një herë shansin që iu dha nga trajneri dhe shënoi dy gola në përballjen e luajtur në stadiumin e tij, ndaj Gëztepesë. Përfundimi i ndeshjes ishte 6-2 dhe sulmuesi i kombëtares shqiptare zhbllokoi rezultatin me penallti, si dhe shënoi golin për 3-0 me aksion nga loja, e gjitha kjo në 23 minuta. Pavarësisht nga lavdia e kupës, kavajasi besohet se do të kërkojë një ekip tjetër në janar. Kjo është edhe këshilla e trajnerit të përfaqësueses, Xhani De Biazi.