Bushi “kualifikohet” duke imituar fatin e Kombëtares

“Është një grup relativisht i vështirë, sepse janë skuadra të një niveli të lartë dhe sigurisht këtu është edhe vështirësia e mosnjohjes reale të nivelit të çdo kundërshtari, të paktën për momentin”, u shpreh Bushi për ueb-faqen zyrtare të FSHF-së.

Megjithatë, ai shpreson që ekipi i tij të marrë shembull nga Kombëtarja A, e cila përkundër pritshmërive ia doli të kualifikohej në Europian në një grup me Portugalinë dhe Serbinë.

“Quhet grup i vështirë, por do të thosha mbase i lehtë pas përfundimit. Shpresoj shumë të na qëllojë si me Serbinë dhe Portugalinë kur kishim eliminatoret e Europianit të Francës. Të mërzitur në short, por të kënaqur në fund, dhe kështu mendoj dhe besoj edhe unë. Do përgatitemi për shumë beteja, dhe kam bindjen që do të bëjmë një grup ndeshjesh realisht shumë dinjitoze. Pse jo, do guxojmë të kërkojmë maksimalen edhe në këtë grup të vështirë”, theksoi trajneri.

Së bashku me drejtorin e Administratës në FSHF, Denis Bastari, Alban Bushi ishte i pranishëm në shortin e hedhur në Nion të Zvicrës.