Broja i shpëton fatit të Gjimshitit, pret kombëtaren në Londër!

Në fund të fundit, mund ta kemi. Armando Broja, i deklaruar si i dëmtuar një ditë më parë nga mbrojtësi i kombëtares, Frederik Veseli, ka shanse që të përfshihet në ekipin përfaqësues për ndeshjen ndaj Anglisë në Londër. Burime nga kombëtarja bëjnë me dije për Abc-në se sulmuesi i Sauthemptonit ka komunikuar me trajnerin Edi Reja dhe e ka sqaruar se duhet të vazhdojë riaftësimin e specializuar në Angli, dhe për këtë arsye nuk udhëtoi drejt grumbullimit në Durrës. Reja dhe Broja kanë rënë dakord që lojtari të të bashkohet me ekipin në Londër, ditën e nesërme, dhe aty do të shikohet nga afër gjendja e tij fizike, për të marrë një vendim përfundimtar.

Kjo do të thotë se 20-vjeçari nuk është i përjashtuar nga ekipi, ndonëse nuk është i sigurt që mund të jetë në gjendje të luajë. Broja ka qenë i dëmtuar, por është kthyer fundjavën e kaluar për Sauthemptonin duke luajtur 9 minuta në ndeshjen e Premier Ligës kundër Aston Vilës, fituar 1-0, dhe situata e tij është e ngjashme me atë të Berat Gjimshitit, ndonëse sulmuesi duket se është më mirë fizikisht. Sulmuesi ka qenë tepër i rëndësishëm për kombëtaren në këto eleminatore të Botërorit sepse ka shënuar 3 gola në 4 ndeshjet e fundit, edhe pse nuk ka qenë asnjëherë titullar. Shqipëria luan në “Uembli” të Londrës këtë të premte në orën 20:45, ndërsa në 15 nëntor pret Andorrën në “Arenën Air Albania”.

Sfidanti.al