Në grumbullim mbërritën një ditë pas ekipit shqiptar. Anglia u mblodh vetëm ditën e djeshme në 9 nëntor për ndeshjen eleminatore të së premtes në Botëror, ndërsa objektivi i nënkampionëve të Europës është vetëm fitorja. “Tre luanët” kryesojnë grupin me tri pikë më shumë sesa Polonia, por nuk mund të rrezikojë përderisa vetëm vendi i parë të kualifikon direkt, ndaj trajneri Garet Sauthgejt kërkon vetëm fitoren. Shpikësit e futbollit kanë disa probleme, pasi sulmuesi i Mançester Junajtidit, Markus Rashford është i dëmtuar dhe i padisponueshëm. Po ashtu, Xhejms Uord-Praus i sëmurë. Mesfushori i Çelsit, Mejzën Maunt është në dyshim me probleme dentare, ndërsa mbrojtësi i Mançester Junajtidit, Ljuk Shou, mori një goditje në kokë gjatë derbit me Sitin. Po ashtu, kapiteni Harri Kejn nuk është në formë për ekipin e tij, Totenhemin.
Gjithsesi, Anglia ka potencial të madh, aq sa në krahun e djathtë Sauthgejti ka 4 alternativa si Kajl Uolker, Kieran Tripier, Aleksandër-Arnold dhe Risi Xhejms. Ky i fundit flet para ndeshjes me Shqipërinë. “Ju e dini se në futboll mund të ndodhë gjithçka, – tha lojtari i Çelsit, – ka shembuj për këtë. Ne kemi dy ndeshje përpara vetes që duhet t’i fitojmë dhe të kualifikohemi. Ky është synimi ynë kryesor”. Sauthgejt pritet të vendosë për skemën që mund të jetë 4-3-3 ose 4-2-3-1. Anglia dhe Shqipëria luajtën në fund të marsit në “Arenën Air Albania” në Tiranë dhe “luanët” fituan 2-0, ndaj edhe janë sërish favoritë për t’ia dalë, ashtu si edhe ndaj San Marinos në ndeshjen e fundit në grup.
Sfidanti.al