Kombëtarja U21 vazhdon përgatitjet për sfidën ndaj Zvicrës U21, që do të luhet sërish në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Ndeshje e programuar për të martën, duke nisur nga ora 17:00. Sa i përket gjendjes së ekipit, mbrojtësi Geralb Smajli, i cili u aktivizua si titullar ndaj Finlandës U21, ka shfaqur probleme fizike dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Alban Bushi për sfidën kundër helvetëve. Pjesa tjetër e skuadrës është në gjendje të mirë. Lojtarët kanë marrë ngarkesën e plotë në seancën stërvitore të së dielës, që u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit”. Kuqezinjtë e vegjël kanë zhvilluar deri më tani gjashtë ndeshje në kualifikueset e “Euro 2025” në grupin E. Aty ku renditen në vendin e tretë me 10 pikë, po aq sa Rumania (një ndeshje më pak), e dyta falë golavarazhit më të mirë.
sfidanti.al