Kombëtarja rrezikon të humbasë edhe Klaus Gjasulën

Jemi më pak se 1 muaj e gjysmë para fillimit të Euro 2024 dhe tashmë sytë e të gjithë tifozëve dhe stafeve teknike të kombëtareve janë te lojtarët. Trajnerët shpresojnë që të kenë sa më pak dëmtime në këtë periudhë të sezonit, pasi mund të prishin planet e tyre për europianin. Kështu që për trajnerin Sylvinho kanë nisur me kohë “dhimbjet e kokës”, madje ato janë shtuar në fundjavën që kaloi. Klaus Gjasula është dëmtuar me Darmstad dhe u detyrua të linte fushën e lojës që në minutën e 43-të të sfidës ndaj Koln në Bundesligë. Ende nuk dihet për gjendjen e lojtarit dhe shkallën e dëmtimit. Në këtë mënyrë mesfushori i shtohet listës së të dëmtuarve. Siç dihet që para ndeshjeve të muajit mars është i dëmtuar Ardian Ismajli. Mbrojtësi mungoi në miqësoret e kombëtares, teksa ka humbur edhe 5 sfidat e Empolit. Ismjali vuan nga një dëmtim muskulor, i cili vazhdon ta mbajë larg fushës së blertë. Ndërkohë i dëmtuar vazhdon të jetë edhe Etrit Berisha. Gardiani i portës kuqezi ende nuk ka mundur të rikuperohet duke mbajtur në “ankth” kështu stafin e kombëtares, me Sylvinhon që kryqëzon “gishtat” që në miqësoret para Euro 2024 të ketë të plotë grupin e lojtarëve që dëshiron t’i ketë në kampionatin europian.

sfidanti.al