Kombëtarja pa alibi në Euro 2024

Nëse në Euro 2016 emocionet e debutimit ndiheshin dhe jo pak në këmbët e lojtarëve në atë kohë të drejtuar nga Giani De Biasi, trajneri Sylvinho i ka shtuar një marsh më shumë markës kuqezi duke e transformuar në një fanellë që reflekton më shumë profesionalizëm. Eleminatoret e reflektojnë një gjë të tillë, sepse ndryshe nga ato të Euro 2016, biletën nuk e arritëm me folklorizmat partiotikë pas transfertës horror të Beogradit. Në këto eleminatore skuadra u soll ndryshe në fushë, propozoi një futboll me aromë perëndimore dhe shumë modern por ky është një trend që duhet të vazhdojë dhe fakti që skuadra kuqezi është shortuar me superfuqitë Itali, Spanjë dhe Kroaci, nuk e duhet ta trembë ekipin e drejtuar nga timonieri brazilian që ka marrë përsipër të bëjë operacione radikale duke lënë jashtë emra të pamenduar dhe duke përfshirë të tjerë surprizë. Në këtë listë, një fitore tashmë Shqipëria e ka marrë…të ardhmen. Kombëtarja ka shtuar një “Berishë” dhe u ka besuar emrave të së ardhmes kryesisht, pa i hequr asnjë presje kontributit të Cikalleshit. Praktika e respektimit të grupit që e kualifikoi skuadrën, apkikohet rëndom nga Anglia, Italia, Holanda, Gjermania, Spanja apo kombëtare të tjera të mëdha dhe nuk ka pse Shqipëria të bëjë përjashtim prandaj në Euro 2024 duhet dhe mund të shkojmë si një skuadër e formatuar me frymë perëndimore dhe nuk ka asnjë alibi për paraqitjet e mundshme të shëmtuara.

sfidanti.al