Klopp-i “anglez” dhe “Klopp”-ët tanë

Në një kohë që bota e futbollit po “qan” largimin e Jurgen Klopp në fund të sezonit nga një klub ku bëri historinë dhe i riktheu lavdinë, natyrshëm mund të bëjmë një krahasim edhe me ambjentin shqiptar. Sa utopike duken disa situata të përshtatura në ambjentin e egër të Superiores. Nga Guardiola te Pioli e gjithë bota e futbollit i kanë thurur lavde një prej njerëzve më të dedikuar të kësaj loje që me këmbënguljen dhe filozofinë e tij nxorri nga balta një nga stemat më të vyera të futbollit botëror, duke ia dorëzuar sërish vitrinës ku reklamohet magjia e kësaj loje.

Por…le të flasim pak për “hallet” shqiptare dhe të bëjmë një analogji ndoshta me rastin më të fundit, atë të Orges Shehit por ndoshta edhe të Skënder Gegës. Të dy, në shumë këndvështrime, kanë pikëtakime me historinë e Klopp edhe pse në miniaturë. Gega theu mallkimin e kuq, jo atë të “The Reds” që prekën titullin pas 3 dekadave, por me Partizanin, po të kuq dhe po ashtu prej shumë vitesh pa një trofe kampionati. Shumë i ngjashëm tropojani me gjermanin pasi riktheu entuziazmin dhe prestigjin në një markë që dukej se po luftonte jo vetëm me rivalët por edhe me fatin e keq në një formë mallkimi që kishte pllakosur në ambjetet e kuqe që pas rrëzimit të sistemit diktatorial.

Të njëjtën gjë bëri edhe Orges Shehi me Tiranën që e mori në një situatë aspak komode dhe me 1 mijë halle. Riktheu titullin, ndërsa në vitin e dytë “flirtoi” me të e madje me gjysmë “zëri” mund të thuhet edhe që nuk e lejuan ta fitonte por në fund të ditës çfarë mori? Shkarkimin nga detyra dhe më keq, sulmin verbal e të drejtëpëdrejtë të presidentit që ende e mbante me rrogë. Fat i njëjtë për Skënder Gegën edhe pse ndarja nuk u cilësua asnjëherë “shkarkim” e sulmet verbale kishin doza shumë më diplomatike. Dy shembuj për të na kujtuar se sa “brutalë” jemi në situata të ngjashme me ato të Klopp i cili shumë mirë mund të ishte shkarkuar një sezon më parë kur me Liverpool-in e tij dështoi madje edhe të kualifikohej në zonën Champions por klubi i tij i doli në krah me bindje dhe deri në verbëri sepse futbollin në Angli e shikojnë si art, biznes, lojë dhe argëtim e jo një territor më shumë që duhet pushtuar.

Nga Pirro Bardhyli