Mbrojtësi i majtë i Liverpulit, Trent Aleksander-Arnold (19 vjeç), është një nga debutuesit në listën e lojtarëve që ka thirrur në përfaqësuesen angleze trajneri i kësaj të fundit, Garet Sauthgejt, për në Kupën e Botës të Rusisë (14 qershor-15 korrik). Por, sidoqoftë, lajmin e mirë atij (Arnoldit) ia dha trajneri i vet te Liverpuli, Jyrgen Klop.
“Kur po shkonim me autobus në aeroport, m’u afrua trajneri im (Klop) dhe më pyeti, nëse dija gjë për listën e lojtarëvë që kishte thirrur Sauthgejti në përfaqësuesen angleze. Unë i thashë se nuk dija asgjë. Ai, më pas, me pyeti se çfarë plani kisha unë për kohën e verës, gjatë kampionatit botëror, do të shkojë gjëkund për pushime… Unë i thashë se nuk kisha bërë asnjë plan. Atëherë, ai (Klopi) më tha: ‘Shumë mirë, sepse do të shkosh në kampionatin botëror të Rusisë’”, tregoi, më pas, Aleksandar–Arnoldi.
“Kjo është një histori shumë e bukur. Në mëngjes, mua më mori në telefon Garet Sauthgejti dhe m’u lut që t’i thoja Arnoldit se ai është përfshirë në listën e futbollistëve të përfaqësueses angleze që do të shkojnë në kampionatin botëror të Rusisë. Vetëm ta shihnit fytyrën e Trentit, kur unë i dhashë atij lajmin, ishte diçka absolutisht fantastike. Ai e meriton që të jetë në kombëtarën angleze, pavarësisht nga mosha e tij e re. Më besoni, Trenti është një lojtar shumë, shumë i mirë”, tha Klopi.
Sfidanti.al