Klaus Gjasula sot mund të ngjitet në Bundesligë, i duhet fitorja!

E ka provuar se çfarë do të thotë elita. Klaus Gjasula ka luajtur më parë në Bundesligën gjermane dhe është shumë pranë realizimit të dëshirës për t’u kthyer. Mesfushori i kombëtares shqiptare do të ketë sonte një ndeshje përcaktuese në kategorinë e dytë, dhe në rast fitoreje ngjitja lart është e garantuar. Skuadra e tij, Darmshtati pret Sankt Paulin, në duelin që nis në orën 20:30, ndërsa kërkohen tri pikët. Darmshtati kryeson Bundesligën e dytë me 64 pikë, 7 më shumë sesa Hamburgu i vendit të tretë, që e ka luajtur ndërkaq ndeshjen e javës së 31-të.

Kjo do të thotë se në rast fitoreje ekipi i Gjasulës shkëputet në 10 pikë nga skuadra historike gjermane, për t’u bërë i paarritshëm në tri javët e mbetura. Mesfushori 31-vjeçar kuqezi pritet ta nisë ndeshjen nga stoli, ashtu siç ka bërë në sfidat e fundit. Kjo, për shkak se ai është kthyer nga një dëmtim i rëndë që e ka lënë prej kohësh jashtë fushave.

Sfidanti.al