A do të qëndrojë Joshua Kimmich te Bayerni? Mesfushori gjerman, që mund të luajë edhe si mbrojtës i djathtë kur është e nevojshme, ndodhet në një situatë delikate në moshën 29-vjeçare, pasi kontrata e tij me klubin bavarez skadon në fund të këtij sezoni dhe ende nuk është rinovuar. Bisedimet mes “Die Roten” dhe ‘yllit’ të Kombëtares Gjermane janë në vazhdim, por nuk dihet sa kohë do të zgjasë kjo telenovelë. Së fundmi, Kimmich ka deklaruar për ‘Sky Sports DE’: “Nuk dua të ushtroj presion ndaj vetes duke thënë një muaj të caktuar. Gjatë muajve të ardhshëm duhet të merret një vendim.” Megjithatë, sipas raportimeve nga ‘Sport BILD’, Joshua Kimmich dhe Real Madridi kanë pasur kontakte kohët e fundit. Klubi madrilen është i gatshëm të negociojë për ta transferuar. Real Madridi e ka fituar 15 herë Championsin, më shumë se çdo klub tjetër, ndaj konsiderohet ambienti ideal për ambiciet e Kimmich. Këto thashetheme vijnë vetëm një ditë pas kritikave të ashpra të Kimmich ndaj Bayern pas humbjes 3-0 në Europë kundër Feyenoord. Aktualisht, sipas gazetës gjermane, Kimmich e sheh Real Madridin si një mundësi të mirë për karrierën e tij, veçanërisht në nivel ndërkombëtar. Ky duket se është qëllimi i tij kryesor: të shkojë në një klub ku mund të fitojë Champions League. Bayerni? Për momentin është ende në lojë, pasi janë zhvilluar disa bisedime me drejtuesit e klubit. Por tani me mundësinë e Realit, një opsion jashtë vendit, kjo ofertë duket shumë, shumë joshëse.
sfidanti.al