Kevin Dodaj ndryshon skuadër

Kevin Dodaj do ta vazhdojë karrierën në Poloni, por lëvizja e tij nga CSKA Sofia te Lechia Gdansk nuk është transferim i përhershëm, siç u raportua fillimisht, por një huazim. Dodaj, një nga talentet e spikatura të viteve të fundit në “Abissnet Superiore”, nuk arriti të gjejë hapësirat e pritshme te CSKA Sofia dhe për këtë arsye palët kanë gjetur zgjidhjen për të vijuar karrierën e tij në Poloni, ku do të jetë pjesë e Lechia Gdansk.

Fillimisht u raportua se klubi polak kishte blerë kartonin e shqiptarit për një shumë rreth 650 mijë euro, ndërsa në një marrëveshje të tillë Vllaznia do të përfitonte rreth 100 mijë euro nga transferimi i lojtarit. Megjithatë, situata financiare e Lechia Gdansk ka ndikuar në mënyrën e realizimit të lëvizjes, pasi klubi polak ka kaluar vështirësi ekonomike dhe sezonin e kaluar ra në kategorinë e dytë, çka e bën më të vështirë një investim të tillë. Kështu, Dodaj do të luajë në Poloni në formën e huazimit, ndërsa kartoni i tij mbetet në pronësi të CSKA Sofia. 20-vjeçari u shfaq në futbollin shqiptar me Vllazninë dhe u konsiderua si një prej talenteve që mund të bënte hapin drejt një kampionati më të fortë. Në vitin 2024 ai kaloi te CSKA Sofia, me të cilën ka kontratë deri në vitin 2028. Tashmë, aventura në Poloni i jep Dodajt mundësinë për të luajtur më shumë dhe për të rikthyer ritmin, pas një periudhe ku hapësirat te CSKA Sofia kanë qenë të kufizuara.