Maratona në Sidnei, gafa me logon e medaljeve bëhet virale

Një gabim në dizajnin e medaljeve të Maratonës së Sidneit është bërë viral vetëm pak ditë para zhvillimit të garës, e planifikuar për më 30 gusht. Llogaria zyrtare e eventit publikoi imazhin e medaljeve që do t’u dorëzohen vrapuesve në finish, ku vihet re se gabimisht është gdhendur “Allianz Arena”, stadiumi i famshëm i Mynihut në Gjermani, në vend të “Allianz Stadium” të Sidneit. Një zëdhënës i organizatorëve e cilësoi gafën si “një gabim fatkeq”, por pranoi se “nuk do t’i fshihemi këtij gabimi”, duke shtuar se në pjesën e pasme të medaljes së finalistëve është futur pa dashje “një element paksa tepër ndërkombëtar”, me një paraqitje të pasaktë të stadiumit. Në medalje janë paraqitur disa prej pikave më të njohura të qytetit australian, si Opera e Sidneit dhe Ura e Portit, të cilat ndodhen përgjatë itinerarit të garës.

Megjithatë, stadiumi i paraqitur nuk është ai i Sidneit, por “Allianz Arena” e Mynihut. Gabimi nuk kaloi pa u vënë re as nga vetë llogaritë e “Allianz Arena” në rrjetet sociale, të cilat e kthyen situatën në një shaka. “Suksese të gjithë pjesëmarrësve! Shkoni dhe fitoni atë medalje”, shkruan në postimin e tyre.