Vllaznia hedh poshtë Gjicin, i merr barazimin Partizanit!

Armando Cungu është nga ata njerëz jo aq të shumtë të futbollit, që e thotë një fjalë dhe e mban. Trajneri i Vllaznisë hodhi poshtë akuzat e presidentit të Kukësit, Safet Gjici, se shkodranët po luanin ndaj Partizanit, duke mos i lënë më shumë se një pikë të kuqve në përballjen në Shkodër, dhe duke i bërë nder pikërisht kuksianëve.

U mbyll 1-1 në “Loro Boriçi”, një ndeshje mjaft e bukur që për fat të keq u luajt nën shi. U përpoq shumë Partizani, por po njëlloj iu përgjigj Vllaznia, e cila nuk “lëshoi pe”. Madje, ishin vendasit që kaluan në epërsi në minutën e 77-të me anë të sulmuesit të ri, Rubin Hebaj, dhe u duk se do të arrihej fitorja dh kryeqytetasit do të zbrisnin në vend të dytë.

Të besuarit e Starovës, gjithsesi, nuk u dorëzuan dhe barazimin që morën, e merituan. Kaleb Ekuban nxorri edhe një herë ekipin nga balta, duke ndrequr gabimet e pjesës së parë. Pas barazimit, të kuqtë u përpoqën të merrnin edhe fitoren, ndonëse nuk ia doli. Pas këtij rezultati, Kukësi dhe Partizani kryesojnë me nga 59 pikë, ndërsa Skënderbeu është afruar në vetëm 3 pikë largësi nga kreu, me 56.

Sfidanti.al