Vllaznia gol nga mesi i fushës për mbijetesë, Teuta “pakt me Zotin” në Gjirokastër!

Vllaznia arriti të largohej disi nga zona e rrezikut në Superligën shqiptare pas fitores së arritur ndaj Lushnjes në Shkodër. Skuadra vendase pati epërsi në stadiumin e saj “Loro Boriçi” duke triumfuar me shifrat 4-0 e duke u ngjitur në kuotën e 33 pikëve, në vendin e tretë nga fundit në renditje.

Shkodranët shënuan tri herë në pjesën e parë, dy herë me anë të Sukajt dhe një herë me anë të Ribajt, ndërsa vlen të veçohet goli i tretë realizuar nga Sukaj. Sulmuesi vendas goditi nga 60 metra largësi dhe e dërgoi topin në rrjetën e portës kundërshtare.

Rezultat pozitiv mori edhe Teuta, edhe pse mbeti prapa Vllaznisë. Durrsakët barazuan 0-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, por patën shumë fat që nuk dolën të humbur nga fusha. Skuadra vendase pati epërsi të plotë dhe krijoi raste të shumtë, por pa arritur të shënojë asnjë gol.

Pas 28 javësh, Teuta ka 30 pikë në vend të parafundit, ndaj 33 të Vllaznisë dhe 34 të Kamzës, që nuk e ka luajtur ende ndeshjen e vet.

Sfidanti.al