Tirana ndihmon “pa dashje” Partizanin, Kukësi mundet dhe mbetet 8 pikë prapa!

Viti 2019 nuk ndryshoi as këtë herë, për të dyja skuadrat. Shumë i mirë për Tiranën dhe negativ për Kukësin, në ndeshjen direkte që u fitua nga kryeqytetasit në Kamzë. Deshi apo s’deshi, trajneri Ardian Mema ndihmoi rivalin më të madh të tij në karrierë, Partizanin, që tani është me 8 pikë largësi ndaj kuksianëve, në krye të Superligës. Duelin e vendosi një gol i Dokës vetëm tre minuta para fundit.

Pavarësisht se skuadra veriore pati përforcime të rëndësishme në janar, sërish ajo nuk mundi ta bënte diferencën. Tirana e Memës luajti edhe një herë siç ka bërë kohët e fundit, me një futboll të pëlqyeshëm sulmues, me qarkullime topi e duke krijuar raste për shënim. Edhe mbrojtja, që ka qenë pika më e dobët e saj, duket se është forcuar, pasi ekipi nuk po pëson gola.

Cungu, ndërkaq, provoi gjithçka, duke hedhur shpejt në fushë edhe Rezhinaldon, të ashtuquajtur “rebel”, por  as ai, dhe as sulmuesi tjetër, Shkurtaj nuk ia dolën të realizonin.

Ndeshja tjetër, në të njëjtën orë, Luftëtari-Flamurtari përfundoi pa gola, 0-0, ndërsa një ditë më parë, Partizani mundi 2-0 Kastriotin në “Selman Stërmasi”. Të kuqtë kryesojnë me 46 pikë ndaj 38 të Kukësit, ndërsa Tirana u ngjit në 24 pikë, gjithnjë në vend të shtatë, 8 pikë larg zonës së rrezikut dhe 7 pikë larg asaj të Europës.

Sfidanti.al