Tirana ka harruar fitoren, tifozët “u heqin” bluzat lojtarëve!

E ka tepër të vështirë që të fitojë. Tirana lufton shumë dhe merr pak rezultat, siç e tregoi edhe në ndeshjen në shtëpi ndaj Kukësit.

U mbyll në barazim pa gola, sfida e parë e javës së 12-të të Superligës, në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku vendasit këmbëngulën më shumë, pork u miqtë patën rastin më të pastër, një penallti.

Ishte fat dhe zotësi e portierit Abibi që skuadra e trajnerit Cungu nuk kaloi në avantazh, duke bërë që gabimi i radhës i tiranasve të mos ishte fatal.

Gjithsesi, u duk se bardheblutë ishin më të kujdesshëm në mbrojtje, një përmirësim në krahasim me ndeshjen e kaluar ndaj Teutës. Po ashtu, në sulm u arrit të goditej edhe shtylla. Trajneri Mema u përpoq përsëri që të mbështetej më shumë tek lojtarët shqiptarë sesa tek të huajt, ndërsa la në stol portierin veteran Ilion Lika.

Pavarësisht nga gjithçka, Tirana mori vetëm një barazim, jo keq përballë Kukësit të vendit të tretë, por që nuk i përmirëson pozitat e saj në renditje, pasi ndodhet në vendin e katërt nga fundit me 10 pikë, dy pikë larg zonës që të zbret nga Kategoria.

Kukësi mund të thuhet se humbi një rast për t’iu afruar Skënderbeut e Partizanit, që janë në krye.

Tifozët e Tiranës e treguan qartë zemërimin për gjendjen e skuadrë, pasi disa prej tyre hynë në fushë në formë proteste, duke iu kërkuar lojtarëve që të hiqnin fanelën nga trupi, pasi nuk e meritonin. Gjithsesi, me ndërhyrjen e forcave të policisë, tifozët u larguan sërish në tribunë.

Java 12: Tirana-Kukësi 0-0; Të mërkurën, 14:00: Kamza-Teuta, Kastrioti-Partizani, 17:00: Laçi-Skënderbeu.

Renditja: Skënderbeu 26, Partizani 25, Kukësi 20, Laçi 19, Flamurtari 18, Teuta 18, Tirana 10, Luftëtari 9, Kamza 8, Kastrioti 4.

Sfidanti.al