Tirana “afrikane” fiton në Korçë, Ard Mema “sheh” Europën!

Misionin e nisi për të shpëtuar ekipin nga rënia prej Superligës, që do të kishte qenë e dyta herë në tre sezone. Gjithsesi, Ardian Mema po bën shumë më tepër se kaq, pasi nën drejtimin e tij Tirana jo vetëm i është larguar zonës së rrezikut, por edhe poi afrohet asaj të Europës. Rezultati më domethënës, padyshim, fitorja e kësaj mbrëmjeje në Korçë ndaj Skënderbeut, që kampion i ka mbetur vetëm emri.

Sukses 2-1 me gola afrikanë, dhe me bardheblutë thuajse gjithnjë në avantazh. Kobinah, autori i golit të barazimit ndaj Luftëtarit, realizoi për 1-0 në minutën e 26-të, por në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, një afrikan tjetër, Sibo, barazoi rezultatin. Duhej të vinte minuta e 89-të që Tirana të shënonte golin e dytë me anë të anglo-afrikanit Majkëll Ngo, dhe të merrte tri pikë tepër të rëndësishme.

Kryeqytetasit kanë 28 pikë, vetëm 5 më pak se Skënderbeu dhe Laçi, që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e javës së 23-të. Jo vetëm kaq, për bardheblutë kanë shënuar 28 gola, 5 më shumë se Partizani kryesues, ndonëse kanë pësuar gjithashtu shumë, plot 25. Sa për Skënderbeun, sezoni po shkon keq e më keq, për shkak të largimit të lojtarëve, problemeve financiare (besohet), dhe goditjes psikologjike prej dënimit të dhënë nga UEFA dhe vendimit (ndoshta jo pozitiv) të pritshëm në KAS.

Sfidanti.al