“Thumbimi” i Egbosë për Partizanin: Kur luaja me Tiranën e nisnim derbin 1-0!

I kanë ngarkuar një detyrë të vështirë. Emanuel Egbo do të jetë trajner i Tiranës në derbin ndaj Partizanit, një sfidë që ndoshta nuk e kishte menduar. Pas largimit t ëish-teknikut Julian Ahmataj, presidenti Halili nuk arriti të vendoste për një tjetër njeri të stolit, ndaj edhe barra i mbeti ish-portierit nga Nigeria.

“Ne duhet të hyjmë në ndeshje për të fituar, – tha ai, – është ndeshje si të tjerat, por është edhe derbi, ndërsa për ne ka rëndësi të marrim pikët. Në renditje nuk jemi shumë larg kreut dhe një fitore do të na afronte”.

Tirana u bë kohë pa fituar në derbi, çfarë i mungon asaj sipas Egbosë? “Nuk na mungon asgjë, përveç rezultateve, – u shpreh trajneri, – mendoj se ne mund t’ia dalim, por jo duke menduar sesa kohë kemi pa fituar sepse kjo do t’i shqetësonte lojtarët dhe do t’i nxirrte nga detyrat. Duhet të luajmë duke menduar vetëm për këtë ndeshje”.

Egbo ka qenë vetë në fushë në shumë derbi, si i ndjen ai këto ndeshje? “Atëherë ka qenë kohë tjetër, sot është kohë tjetër, – tha ai, duke vazhduar me thumbim, – kur unë luaja me Tiranën, ne e nisnim derbin në fitoren 1-0 pa hyrë ende në fushë”. Tirana ka 4 mungesa në derbi, pasi nuk luajnë Hasani, Dunga, Kale dhe Osmani.

Sfidanti.al