Gabon Partizani, bie sërish Vllaznia, zhytet Kukësi, afrohet Tirana, ndërsa fituesit e javës së 22-të të Superligës janë Laçi e Teuta. Kurbinasit fituan në atë që quhet fusha e Kukësit, 2-1 në “Elbasan Arena” dhe tani janë vetëm 1 pikë prapa kreut. Ajo që mendohej si e largët, pra pretendimi për titull nga Laçi, po kthehet në një realitet dhe skuadra e Shpëtim Duros ndoshta është kandidati numër 1 deri tani për të fituar kampionatin. Jo më kat Teuta e Edi Martinit që fitoi pikërisht ndaj skuadrës së qytetit dhe të zemrës së tij, Vllaznisë.
Flitet edhe për dy klube që kanë presidentë që e dinë mirë sesi “ta luajnë” kampionatin shqiptar, pra Pashk Laska dhe Edmond Hasanbelliu. Kjo dyshe për momentin duket më praktike se Partizani, i cili megjithë përpjekje për t’u përforcuar në verë dhe për të luajtur në sulm, shënon pak. Barazimi në Fier ndaj Apolonisë ishte një gabim nga ata të mëdhenjtë për vetë pretendimet e skajshme që kanë dy ekipet. Parashikimet ishin që java duhej të fliste për Partizanin, por nuk ndodhi kështu.
Po Vllaznia çdo të bëjë? Shkodranët janë në “kurbë zbritjeje”, ndërsa e gjithë epërsia që patën ndaj ekipeve të tjerë tashmë është shkurtuar në vetëm 1 pikë. Dueli me Kukësin në 8 mars mund të ndikojë shumë, nëse fitohet mund të ketë kthesë, por nëse gabohet atëherë rrezikohen edhe kupat e Europës. Një enigmë e kampionatit mbetet Tirana, që ka potencialin për të bërë gjëra të mëdha edhe pas largimit të Muçit. Diferenca prej 9 pikësh me kreun nuk është penguese për të shpresuar sërish titullin, por dihet se armikja më e madhe e Tiranës është vetë Tirana.
Java 22: Teuta-Vllaznia 1-0, Kukësi-Laçi 1-2, Apolonia-Partizani 1-1, Tirana-Bylis 2-0, Skënderbeu-Kastrioti 0-1.
Renditja: Vllaznia 41 pikë, Laçi 40, Teuta 40, Partizani 39, Tirana 32, Kukësi 30, Kastrioti 28, Bylis 18, Apolonia 15, Skënderbeu 13.
Sfidanti.al