Kur fiton me tre gola diferencë ndaj një rivali serioz, tregon se je vërtet i fortë. Skënderbeu ishte i tillë në suksesin bindës kundër Luftëtarit, në një ndeshje me shumë pluse për kampionët e Shqipërisë.
Përballja e javës së 22-të të Superligës me gjirokastritët që kanë jo pak vlera tregoi se trajneri Ilir Daja e ka seriozisht kur flet për fitimin e titullit kampion. Tri pikët e fituara me rezultat të thellë e afruan, qoftë edhe për një ditë, Skënderbeu me kreun e tabelës, duke qenë vetëm 1 pikë larg Kukësit, me 44 pikë ndaj 45 të ekipit të vendit të parë.
Për më tepër, u shënuan shumë gola për herë të parë në vitin 2017, gjatë të cilit fitohet kishin qenë vetëm 1-0. Gjergji Muzaka debutoi me gol, Liridon Latifi shkëlqeu me formën e tij, duke realizuar edhe ai, ndërsa nuk mbeti prapa Marko Radash. Mbrojtësi kroat shënoi nga një goditje dënimi, duke shfrytëzuar specialitetin e tij.
Luftëtari vërtet nuk i përballoi dot korçarët, në ndeshjen e luajtur në Korçë, por i vuri disa herë në vështirësi, ndonëse rezultati nuk e tregon. Gjithsesi, kjo ishte e pritshme për vetë nivelin e treguar nga gjirokastritët këtë sezon.
Nëse Skënderbeu dha një mesazh në luftën për titull, një mesazh tjetër u dha nga Teuta, në betejën për mbijetesë. Durrsakët fituan në Vlorë ndaj Flamurtarit, me një gol të shënuar nga malazezi Cmajçanin. Trajneri i ri i vlonjatëve, Shpëtim Duro, pati një debutim të hidhur, ndërsa ish-trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, doli fitimtar. Pas këtij suksesi, Teuta ka 23 pikë, ndërsa Flamurtari 20 dhe është edhe më i rrezikuar për të rënë në Kategorinë e Parë.
Sfidanti.al