Skënderbeu ka fat dhe kur arbitri e ndëshkon me penallti kot, 2-0 me Kamzën!

Objektivi u arrit, por jo ashtu siç mendohej. Skënderbeu e paska problem të luajë në fushën e tij, edhe kur e nis ndeshjen shumë mirë, madje edhe kur i kthehen tifozët në stadium.

Publiku korçar ndoqi me shumë shqetësim sfidën e javës së 9-të ndaj një ekipi në dukje modest si Kamza, por që meritonte të dilte nga fusha të paktën me pikë.

Nuk dihet se ku kishte mbetur ai Skënderbeu që shpesh dominonte rivalët, madje edhe në Vlorë apo në Gjirokastër siç bëri javën e kaluar.

Skuadra e trajnerit Shehi ishte tepër larg asaj forme, duke mos arritur të sulmonte e të krijonte raste, me përjashtim të dy momenteve kur shënoi golat, apo ndonjë aksioni episodik.

Mos vallë, lojtarët ende janë të shqetësuar për paratë, pavarësisht garancive të dhëna nga klubi? Nuk mund të thuhet saktë, veçse përballë një Partizani me vazhdimësi, kjo ecuri e Skënderbeut nuk besohet se mund të mjaftojë për të arritur objektivin kryesor, mbrojtjen e titullit të fituar vjet.

Gjithsesi, pas golave të shënuar nga sulmuesi Oto Xhon dhe nga Devi Bregu, korçarët u ngjitën në kuotën e 20 pikëve, një renditje tepër pozitive për ta, ndërsa kamzalinjtë e trajnerit Duro, pavarësisht nga loja e mirë, mbetën në vetëm 7 pikë, në vendin e tretë nga fundi në Superligë.

Sfidanti.al