Si kthehet arbitri Alla nga dënimi? Duke mbyllur sytë në Durrës!

Kur një gjyqtar futbolli i jep fund pezullimit nga ana e organeve disiplinore, përpiqet që të paktën për disa kohë të jetë në nivele të larta. Kështu pritej edhe për Laver Allën, arbitrin që i dha fund dënimit të dhënë nga FSHF, dhe që u kthye si “violinë” e parë në ndeshjen e Superligës, Teuta-Skënderbeu. Ndryshe nga sa pritej, Alla jo vetëm që nuk arriti të bënte një paraqitje të nivelit të lartë, por edhe për të u ngritën shumë dyshime, dhe që të gjithë nga një krah, pra nga Skënderbeu që e cilësoi veten si të dëmtuar. Në minutën e 54-ët pati një rrëzim në zonë të Mensahut në duel me Hoxhën. Alla nuk sinjalizoi për 11 metërsh, edhe pse dyshimet ishin të mëdha. Në 58’, Skënderbeu kërkoi penallti për prekje të topit me dorë në zonë. As kjo nuk u quajt e tillë. Në fund, në 85’, Gripshi u rrëzua në zonë pasi Todorovski e kapi nga fanela, ndoshta jo ndonjë kapje e fortë, por sërish ishte. Alla sërish nuk denjioi të vërshëllente. Po flasim për një arbitër që vinte nga dënimi, por që fare mirë mund të shkojë në analizë përpara komisionit teknik për t’u dënuar përsëri!

Sfidanti.al